Kandidati për president të Real Madridit, Enrique Riquelme, ka zbuluar planin e tij ambicioz për të sjellë Jurgen Kloppin në stolin e klubit madrilen në rast se fiton zgjedhjet.
Riquelme ka bërë të ditur se, nëse anëtarët e klubit i japin besimin e tyre, ai do të nisë menjëherë bisedimet për ta bindur trajnerin gjerman të marrë drejtimin e “Los Blancos”, pavarësisht faktit se Klopp ka deklaruar publikisht se nuk planifikon të rikthehet në pankinë në të ardhmen e afërt.
Sipas tij, projekti i Real Madridit është unik dhe mund të përfaqësojë një sfidë të veçantë edhe për një trajner të kalibrit të Kloppit.
“Ne e dimë se Jurgen Klopp ka deklaruar publikisht se nuk ka ndërmend të rikthehet në pankinë në afat të shkurtër dhe se ka refuzuar oferta të shumta. Pikërisht për këtë arsye ne besojmë se sfida te Real Madridi është ndryshe. Sepse ka klube të mëdha, por ekziston vetëm një Real Madrid. Ekziston vetëm një institucion i aftë të bashkojë traditën dhe të ardhmen, vlerat dhe ambicien, pasionin dhe përsosmërinë”
Klopp aktualisht mban një rol drejtues në strukturën sportive të Red Bullit, pasi u largua nga Liverpooli në fund të sezonit 2023/24. Megjithatë, emri i tij vazhdon të lidhet me klubet më të mëdha evropiane sa herë që hapet një debat për trajnerët e elitës.
Mbetet të shihet nëse një projekt i ri në ‘Santiago Bernabeu’ do të jetë i mjaftueshëm për ta bindur gjermanin të rikthehet në pankinë dhe të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij.